Strategji antiçame, krijohet shoqata kontroverse e ish-deputetit grek

24/09/2017 00:00

Pas disa muajsh qetësie dhe rënies së toneve, e veçanërisht pas fotografive nga Nju Jorku i largët, ku  buzëqeshjet dhe atmosfera miqësore e homologëve Kotzias e Bushati përçonin mesazhin se, përsëri Athina dhe Tirana janë pranë për të zgjidhur çështjet që u ka lënë peng e kaluara, një sfide e re vjen tashmë nga një grup qytetarësh grekë në lidhje me çështjen çame.

Banorë të Pargës dhe disa zonave përreth në Thesproti kanë krijuar të ashtuquajturën “Shoqata e pasardhësve të viktimave të çamëve”, për të përkujtuar – siç thonë ata, – masakrat e gjermanëve dhe të bashkëpunëtorëve të tyre çamë ndaj popullsisë greke në vitet 1941-1944.

Në deklaratën që shpjegon qëllimin e krijimit të shoqatës thuhet se, është detyrë e historianëve për të dhënë një imazh sa më real të së vërtetës dhe ngjarjeve të asaj kohe, si dhe shkaqet që e kanë shkaktuar atë.

Një prej nismëtarëve të krijimit të saj, ish-zv.ministri i Qeverisë “Samaras” dhe ish-deputeti i “Demokracisë së Re”, Antonis Bezas ka theksuar në fjalën e tij se ka ardhur koha që edhe pala greke të zgjohet dhe të mos lejojë vetëm shqiptarët të pretendojnë versionin e tyre në forumet ndërkombëtare, të ngjarjeve tragjike të asaj kohe, duke minuar marrëdhëniet ndërmjet shteteve.

“Edhe pse e ashtuquajtura çështje çame është politikisht, historikisht dhe ligjërisht inekzistente për palën greke, kjo nuk do të thotë që ne nuk duhet ta mbrojmë të vërtetën tonë historike dhe të drejtën tonë nëse është e nevojshme”, ka thënë ndër të tjera Bezas, duke shtuar më tej:

“Gjykata e Hagës, në të cilën kanë shkuar edhe çamët, duhet ta dijë se udhëheqja ushtarake dhe politike e çamëve në vitet 1941-1944 ndërmori veprime kundër jetës dhe pronës së popullatës greke dhe se grekët ishin duke u mbrojtur në shtëpitë e tyre”.

E duke shkuar më tej, ish-deputeti grek ka sqaruar se në veprimet e para të shoqatës është kërkimi dhe gjetja e bazave ligjore, që do ta lejojnë shoqatën të parashtrojë çështjen e dëmshpërblimeve për këto masakra, si nga shteti gjerman, ashtu edhe nga ai shqiptar.

Krijimi i shoqatës nuk ka pasur deri tani jehonë të madhe në mediet greke, përveç dy-tre artikujve, ndërsa nga Athina zyrtare nuk ka ende asnjë koment për strategjinë që propozon ish-deputeti grek në kundërpërgjigje të asaj shqiptare për çështjen çame.

Hera e fundit që Kotzias dhe Bushati i janë referuar publikisht dhe kanë parashtruar ndasitë e tyre, ka qenë në qershor të vitit 2016 në Tiranë, ku pala shqiptare ka këmbëngulur se bëhet fjalë vetëm për respektim të të drejtave të njeriut dhe se nuk ka asnjë pretendim territorial ndaj Greqisë, ndërsa ajo greke ka folur për disa grupe çamësh, një prej të cilëve në kohën e luftës, që bashkëpunuan me pushtuesit nazistë.

Top Channel