“Vettingu” i universiteteve. Raporti për UT, Shkodrën dhe UET

24/09/2017 00:00

Agjencia britanike e Sigurimit të Cilësisë për Edukimin Universitar ka përfunduar raportin lidhur me cilësinë e 3 universiteteve të marra në studim prej saj.

Sipas këtij raporti, Universitetit shtetëror i Tiranës përkufizohet si institucion arsimor me standardet e plotësuara pjesërisht. Në analizën e bërë, agjencia nënvizon se “standardet për organizim dhe menaxhim, si dhe ato për mësimdhënie, asistencë dhe kërkim shkencor janë të plotësuara pjesërisht, ndërsa ato për burimet, kurrikulat dhe mbështetjen e studentëve janë kryesisht të plotësuara”.

Në përfundim, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë i ka lënë 16 rekomandime Universitetit shtetëror të Tiranës, duke nisur që nga përmirësimi i statutit të tij, ndryshimi i teksteve që cilësohen si të vjetra dhe plagjiaturë, te rritja e burimeve që ndikojnë në performancën akademike e shkencore, e deri te zhvillimi i testeve periodike për pedagogët për të vlerësuar aftësitë e tyre.

Në një nivel më të lartë sesa Universiteti i Tiranës është Universiteti i Shkodrës, me kushte të plotësuara në mënyrë të konsiderueshme, për të cilin agjencia ka lënë vetëm dy rekomandime, atë të plotësimit të standardeve të hapësirave në dispozicion dhe atë të implementimit të një sistemi për të zhvilluar më shumë stafin pedagogjik, duke marrë në konsideratë praktikat më të mira.

Universiteti Europian i Tiranës rezulton t’i ketë plotësuar tërësisht të gjitha standardet e marra në analizë nga agjencia britanike. Këtij universiteti i lihet vetëm një rekomandim, ai për të zhvilluar një strategji dhe proces të qartë për mbledhjen e të dhënave të punësimit të të diplomuarve, në mënyrë që të mbështesë zhvillimin e programeve të studentëve.

Shpejt pritet të zbardhen edhe konkluzionet për të gjithë univestitetet e vendit, të cilat janë analizuar me imtësi. Agjencia e Sigurimit të Cilësisë për Edukimin Universitar është një organizatë jofitimprurëse, e ngritur në vitin 1997 në Britaninë e Madhe, e cila në themel të punës së saj ka vlerësimin e universiteteve lidhur me plotësimin e standardeve.

Top Channel