“Goodbye Christopher Robin”

21/09/2017 00:00

Që prej “The Wolf of Wall Street”, nga ku mori rrugë fama e saj, aktorja australiane Margot Robbie nuk ndalet më. Ajo shkeli në Londër tapetin e kuq të premierës së filmit të saj më të fundit, “Goodbye Christopher Robin”, ku interpreton në krah të aktorit irlandez, Domhnall Gleeson.

Rrëfenja e jetës së krijuesit të “Winnie the Pooh”, Alan Alexander Milne, tregon historinë e trishtë që fshihet pas arushit të lumtur dhe miqve, të cilët e shoqërojnë ngado. Filmi përqëndrohet te marrëdhënia e trazuar e autorit me të birin, Billy, që në përrallë vjen në formën e Christopher Robin, e krijimit të pazakontë të personazhit aq të dashur nga fëmijët, të drejtat e të cilit iu shitën më vonë “Disney”-t.

Në rolin e Robinit vjen aktori 8-vjeçar, Will Tilston, i cili nuk e dinte se çfarë qëndron pas arushit të hareshëm.

“I kam lexuar librat, por nuk e dija që Christopher Robin ishte një person real. Nuk e njihja as historinë e vërtetë të kësaj përralle, por jam i kënaqur që e mësova”, tha Will Tilston, aktor.

Margot thotë se tani është vënë në kërkim të roleve femërore pozitive.

“Po kërkoj role të mira. Ne nisëm një kompani produksioni dhe kemi qenë aktivë në krijimin e roleve të tilla. Shpresoj që të arrijmë të kontribuojmë sadopak për këtë. Më pëlqen të interpretoj personazhe të ndryshme”, tha Margot Robbie, aktore.

“Goodbye Christopher Robin” do të shfaqet në kinematë britanike nga data 29 shtator.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel