Lehtësohen transferimet e studentëve

21/09/2017 00:00

Studentët që duan të transferohen nga publiku në privat, apo anasjelltas në një program të ngjashëm studimi, kanë të drejtë të riaplikojnë.

Për të kryer këtë procedurë, mjafton që të rinjtë nga cilido fakultet i vendit, të plotësojnë formularin e aplikimit për transferim, të kenë listën e lëndëve dhe të krediteve si dhe diplomën e shkollës së mesme. Me zbatimin e ligjit të ri të arsimit të lartë, pedagogët thonë se këtë vit transferimi i studimeve është lehtësuar.

“Risia e këtij viti është që nëse në vitet e kaluara ka qenë një numër disi më i vogël dhe i përcaktuar qartë, këtë vit ky numër është në varësi të çregjistrimeve dhe të kapaciteteve të lira”, thotë Alban Korbi, zv.Dekan i Fakultetit të Ekonomisë.
 
Korbi thotë se të drejtën për aplikim e kanë të gjithë, por për t’u shpallur fitues duhen plotësuar 2 kushte: “Elementët bazë në këtë proces janë mesatarja e shkollës së mesme dhe rezultatet e vitit të mëparshëm të studimit. Bëhet fjalë për maturantë që nuk arritën të regjistroheshin vjet dhe që kanë ndjekur studimet në një fakultet tjetër privat apo publik. Nuk ka një kufi për mesataren, pasi kjo varet nga kërkesat. Aktualisht, në ekonomik janë rreth 200-250 kuota për transferimet”, vijon ai.

Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, transferimet duhet të përfundonin më 19 shtator, por senatet kanë marrë vendimet e tyre për shtyrjen e afateve.

Sipas zv.dekanit të Ekonomikut, fakulteti që ka edhe numrin më të lartë të kuotave për transferimet, ky proces do të vijojë deri në prag të vitit të ardhshëm akademik.

Top Channel