Përurohet “Ardian Klosi”, Veliaj: Bregu i Lumit, një lagje moderne

19/09/2017 00:00

Shkolla e re “Ardian Klosi” ndërtuar tek Bregu i Lumit hap dyert për nxënësit, duke u inauguruar këtë të martë nga kreu i bashkisë Erion Veliaj. Shkolla mban emrin e publicistit dhe përkthyesit të njohur.

Shkolla ka një kapacitet për 1000 nxënës dhe ofron mjedise të reja e kushte modern mësimdhënieje, si dhe për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme sociale dhe sportive.

“Duhet të jemi patjetër fitimtarë në betejën e qytetit tonë për më shumë dije. Nuk kemi ndërtuar vetëm shkollën, përballë saj është një hapësirë tjetër fantastike, një qendër komunitare, çerdhe, kopësht; kemi krijuar një oaz në një nga lagjet që më përpara ka qenë e lënë pas dore. Nuk është vetëm ky oaz, por janë edhe 18 rrugë të reja që kanë rehabilituar një pjesë të madhe të lagjes. Për herë të parë kemi të njëjtën cilësi në zonën që me konotacion negativ më përpara quhej si Bregu i Lumit, sot Bregu i Lumit është një nga lagjet më moderne të Tiranës. Pra, po punojmë me të njëjtin standard, siç punohet në sheshin “Skënderbej”, ashtu edhe në zonën e Bregut të Lumit, në Njësinë 4 edhe në këtë kompleks fantastik arsimor dhe sportiv”, theksoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve që të bashkëpunojnë në realizimin e projekteve dhe të investimeve të Bashkisë së Tiranës, të cilat jo vetëm do të përmirësojnë jetën e vetë komunitetit në këtë zonë, por njëkohësisht do të rrisë dhe vlerën e pronës. “Më vjen mirë që kanë qenë bashkëpunëtorë, në disa raste është kërkuar që të largojnë avllitë e tyre, të hapin pak hapësirë për trotuare. Unë besoj se vetëm njerëzit e mençur e kuptojnë këtë mesazh, që duke sakrifikuar një metër nga oborri i tyre i kanë rritur disa herë vlerën komunitetit të tyre me një trotuar, me një hapësirë të sigurt ku kalojnë fëmijët. Besoj se tani që kemi vendosur këtë standard, çdo punë tjetër në njësinë 4 dhe në zonën e Bregut të Lumit do të vazhdojë me të njëjtin prioritet.  Dua të falenderoj ambasadoren e Bashkimit Evropain dhe gjithë kolegët e BE, që na bënë të mundur këtë investim në Njësinë 4”, u shpreh ai.

Top Channel