Gjermania si model, serbët kanë shpresa te mbështetja e Berlinit

18/09/2017 00:00

“Mbështetja e Berlinit është me rëndësi kyçe për serbët”, ka pohuar kryeministrja serbe, Ana Brnabiç. “Për shumë serbë – thotë kryetarja e ekzekutivit në Beograd, – Gjermania përbën modelin e shtetit ideal, jo thjesht për arsyet ekonomike, por më së pari nga pikëpamja sociale”.

Për të ilustruar afërsinë e dy vendeve dhe peshën që ka “motori” i Europës në vendin ballkanik, Brnabiç sjell si shembull në intervistën e saj për “Deutsche Welle”, takimet e paraardhësit të saj, Aleksandar Vuçiç, sot president i vendit, me Kancelaren gjermane Angela Merkel, si dhe përballjen që ajo vet ka pasur me “gruan e hekurt” të kontinentit të vjetër në Samitin e Triestes.

Gjermania është prej vitesh një prej investitorëve dhe partnerëve ekonomikë më të mëdhenj të Serbisë. Duke ardhur te çështja kyçe e anëtarësimit në Bashkimin Europian, Brnabiç deklaron se për këtë çështje në Serbi ka konsensus të gjerë. “Aderimi mbetet qëllimi ynë, – shpjegon ajo. – Por jam thellësisht e bindur se afrimi i rajonit është edhe në interesin e Europës”.

Njohja e Kosovës është një prej kushteve kyçe të vendosura Beogradit, për avancimin e tij drejt bllokut europian. Në shërbim të kësaj qasjeje duket se është edhe vendimi i presidentit Vuçiç, që gjatë muajit tetor të nisë dialogu i brendshëm mbi Kosovën në Serbi.

Ndërsa një ditë më parë, numri dy i ekzekutivit, Zorana Mihajloviç kërkoi që Kisha Ortodokse serbe, një faktor me ndikim të fortë në opinionin publik, të mos ushtrojë presion mbi kreun e shtetit.

Top Channel