PD thërret ministrat. Tabaku: Si do funksionojnë superministritë?

18/09/2017 00:00

Partia Demokratike kërkon të mësojë se si janë ndërtuar ministritë që përfshijnë brenda tyre shumë sektorë.

Për këtë arsye kërkohen shpjegime nga tre ministra të tre ministrive, ku bashkimi i funksioneve, sipas saj, është bërë në mungesë të një lidhjeje logjike.

Përfaqësuesit e demokratëve në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave kanë kërkuar një seancë dëgjimore me ministrin e Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj; ministrin e Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri; dhe ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

“Këto kërkesa janë bërë bazuar mbi një logjikë të thjeshtë, sepse bashkimi i këtyre funksioneve nuk ka pasur asnjëherë asnjë lidhje logjike. Ministrat e rinj që kanë marrë këto funksione përsipër janë duke krijuar disa ministri të cilat kanë për shembull arsimin profesional tek Ministria e Financave, që nuk ka qenë kurrë, ndërkohë që para katër vitesh arsimi profesional ishte tek Ministria e Arsimit. Së pari për përgjegjësitë, fokusin dhe kompetencat që do të kenë ministrat, së dyti për buxhetin që do të angazhojnë dhe së treti për aftësinë që ata kanë për të ushtruar këto funksione”, deklaron deputetja Jorida Tabaku.

Demokratët besojnë se qeveria e re është shumë larg të qenit një qeveri e vogël, përsa kohë kjo nuk reflektohet në uljen e shpenzimeve.

“Një qeveri e vogël nuk do të thotë domosdoshmërisht numër i vogël ministrash, do të thotë shpenzime më të ulta dhe numër më i ulët punonjësish. Kur Shqipëria i ka mbi 30 përqind të GDP-së këto shpenzime, por kemi ulur numrin e ministrave sepse i kemi bashkuar funksionet e tyre “copy paste”, sigurisht që nuk flasim më për një qeveri të vogël. Nuk bën sens, është e paanalizuar dhe e pastudiuar, vetëm për t’i dhënë fuqi ndoshta tre personave që kryeministri beson dhe nesër do të kontrollojnë të gjitha funksionet e shtetit”, nënvizon Tabaku.

Top Channel