Athinë, përleshje në përvjetorin e 4-t të vrasjes së muzikantit

17/09/2017 00:00

Policia greke u është përgjigjur me gaz lotsjellës dhjetëra protestuesve që kanë hedhur bomba molotov para disa zyrave të “Agimit të Artë” në një lagje të Athinës, mbrëmjen e së shtunës.

Mbi 2.500 grekë dhe të huaj, duke mbajtur pankarta në të cilat shkruhej “Të dënohen vrasësit e AA” dhe “Të mbyllen zyrat e partisë neonaziste”, kanë nisur një marshim proteste nga sheshi “Sintagma”, në përvjetorin e katërt të vrasjes së të riut antifashist, muzikantit Pavlos Fyssas, nga një anëtar i kësaj partie.

“Jemi me mijëra këtu duke demonstruar, në kujtesë të çështjes së Pavlos Fyssas në përvjetorin e tij të katërt. Gjyqi i Agimit të Artë vazhdon, ndërsa ajo që ne kërkojmë është mbyllja e zyrave të tij, sepse ato janë qendra ku po organizohen sulme të reja”, tha Petros Konstandinou, udhëheqës i Unionit kundër racizmit, fashizmit dhe dhunës.

Pasi protesta ka degjeneruar në dhunë dhe protestuesit u kanë vënë zjarrin dy makinave e kanë shkatërruar disa “ATM”, policia ka shoqëruar të paktën 8 persona, ndërsa një oficer policie është plagosur.

Vrasja e këngëtarit antifashist Pavlos Fyssas, në shtator të vitit 2013, shkaktoi protesta në të gjithë Greqinë dhe u bë shkak për arrestimin e pothuajse të gjithë grupit parlamentar të kësaj partie, si dhe fillimin e një hetimi të madh, që çoi më pas në një proces gjyqësor më 20 prill të vitit 2015.

Mbi 68 persona anëtarë të lartë dhe mbështetës të “Agimit të Artë” akuzohen për pjesëmarrje në këtë organizatë kriminale, në një gjyq që vazhdon ende, ndërsa partia neonaziste vazhdon të jetë forca e tretë ose e katërt politike në vend.

Top Channel