Komisioneri europian i Zgjerimit dhe Politikave të Fqinjësisë së mirë, Johannes Hahn deklaroi në Beograd se, Brukseli nuk dëshiron ta bartë problemin e Kosovës në BE. Zyrtari i lartë europian e përsëriti edhe njëherë se, normalizimi i marrëdhënieve me Prishtinën ndikon drejtpërdrejt në avancimin e Serbisë drejt integrimit europian.

“Zgjerimi bazohet kryesisht në meritat e secilit kandidat. Ju i mbani çelësat drejt BE-së, por BE-ja duhet të shohë një normalizim të pakthyeshëm e të qëndrueshëm të marrëdhënieve me Prishtinën, para hyrjes përfundimtare në BE. Nuk dëshirojmë ta bartim këtë çështje përmes derës së vogël në BE”, tha Hahn.

Hahn këmbënguli të sqaronte se nuk shkoi në Beograd për t’u treguar udhëheqësve të Serbisë dhe Kosovës sesi duhet ta drejtojnë ata dialogun, e as të ofrojë zgjidhje të gatshme.

Në axhendën e Komisionerit europian ishin takimet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, kryeministren Ana Brnabiç dhe shefin e diplomacisë serbe, Ivica Daçiç.

Hahn e ndërmori këtë rrugëtim për të biseduar me krerët e shtetit serb mbi Kosovën, gjendjen në Ballkanin Perëndimor dhe përparimin e Beogradit drejt aderimit.

Tani që në Kosovë është zgjedhur qeveria e re, Brukseli shpreson që negociatat të hyjnë sërish në brazdë, pas një periudhe të gjatë paqartësish. Në një prononcim më herët për gazetën serbe “Veçernje Novosti”, Hahn e vlerësonte nismën e Vuçiçit për fillimin e dialogut të brendshëm për Kosovën, si një “lëvizje të guximshme dhe të mirëpritur”.

Ai nënvizoi sërish se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi mbetet pjesë kyçe e negociatave për anëtarësimin e Beogradit në BE, duke qenë se kontribuon në ruajen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe garanton mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve.

Top Channel