Kinezët në Ballkan, BERZH: BE, partneri më i rëndësishëm tregtar

14/09/2017 00:00

Pavarësisht rritjes së ndikimit të Kinës, Ballkani vazhdon të mbetet i ankoruar në BE. Në raportin e fundit të BERZH-it analizohet prania në rritje e Pekinit në rajon, ku Kina po mësyn furishëm ekonomikisht përmes megaprojektit të saj “Një rrip, një rrugë”.

Gjatë periudhës së viteve 2015-2016, volumi tregtar mes saj dhe vendeve përgjatë “Rrugës së mëndafshtë” mbërriti në 3.3 miliardë euro, gjysma në Serbi, por Bashkimi Europian vazhdon të mbeter partneri më i rëndësishëm tregtar i shteteve ballkanike.

Raporti shqyrton me kujdes situatën në Serbi, Maqedoni e Bosnje-Hercegovinë, shkëmbimi tregtar i të cilave me Kinën sistemohet thuajse ekskluzivisht në favor të gjigantit aziatik.

Rëndësinë e Beogradit për nismën kineze e vuri në dukje edhe presidenti i Kinës, Xi Jingping, i cili mendon se Serbia luan rol qëndror në bashkëpunimin mes Pekinit dhe vendeve të Europës Qendrore dhe Jugore.

Kina është kthyer në një kreditor të rëndësishëm të projekteve infrastrukturore serbe, e si pjesë të strategjisë së gjerë të saj për të depërtuar në Ballkan e në tregjet europiane ka çelur në kryeqytetin serb edhe një dege të Bankës së Kinës.

Raporti del në përfundimin se, në përgjithësi, investimet kineze përgjatë “Rrugës së mëndafshtë” në Ballkan mirëpriten nga politikëbërësit e rajonit, por shtetet e tij vazhdojnë të mbeten të angazhuara ndaj anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe NATO.

Top Channel