Porositë e BE-së për qeverinë e Haradinajt: Reformë në Drejtësi

11/09/2017 00:00

Bashkimi Europian ka reaguar dy ditë pas zgjedhjes së kryeministrit të ri të Kosovës, Ramush Haradinaj, duke i kujtuar punët që e presin si kryetar i ekzekutivit.

Nga kreu i AAK-së kërkohet të nisë menjëherë përpjekjet për forcimin e institucioneve dhe zbatimin e reformave të nevojshme, veçanërisht në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e ekonomisë.

“Pas javësh të tëra paqartësish politike, – thuhet në deklaratën e plotë të zyrës së BE-së në Prishtinë, – krijimi i institucioneve është një hap tejet i rëndësishëm. Vendi përballet me sfida serioze, duke përfshirë korrupsionin dhe sundimin e dobët të ligjit, papunësinë e lartë dhe performancën e dobët në sistemin arsimor. Këto janë pengesa për zhvillimin e ekonomisë, për të tërhequr investime të qëndrueshme dhe për të krijuar mundësi punësimi”.

“BE-ja dëshiron që Kosova të ketë sukses dhe u bën thirrje politikanëve të fokusohen në këto çështje të përditshme me rëndësi për njerëzit”, vazhdon deklarata. “Është thelbësore, – thuhet më tej aty, – që Kosova ttë punojë për kriteret e mbetura për liberalizimin e vizave, duke ecur përpara me marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi dhe duke ndërmarrë veprime kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

BE-ja pret që qeveria e re të luajë një rol aktiv dhe konstruktiv në rajon dhe të punojë së bashku me Beogradin për të siguruar që një hap para është bërë në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të lehtësuar nga BE-ja.

Marrëveshjet e arritura në këtë kontekst duhet të zbatohen plotësisht. Në fund theksohet edhe njëherë perspektiva europiane e Kosovës, si dhe fakti që vendi nuk ka kohë për të humbur.

Top Channel