Del Toro merr “Luanin e Artë”

10/09/2017 00:00

“The shape of water”, fantazia romantike e regjisorit Guillermo del Toro fitoi “Luanin e Artë” në edicionin e 74-t të Festivalit të Filmit në Venecia.

Regjisori meksikan i njohur për filmat horror-gotik tha se çmimi i shumëlakmuar dëshmon se çdo artist duhet t’i qëndrojë besnik asaj në të cilën beson, në rastin e tij, mostrave.

Prodhimi i fundit i Del Toros është një përrallë e zezë, që tregon historinë e një pastrueseje që bie në dashuri me një krijesë ujore.  Ai ja dedikoi çmimin regjisoreve të rinj amerikano-latinë.

“Si një meksikan ua dedikoj çmimin të gjithë regjisorëve amerikano-latinë që ëndërrojnë të bëjnë diçka të madhe, edhe pse u thuhet se nuk mund ta bëjnë. Gjithçka është e realizueshme”, tha regjisori.

Çmimi i Jurisë shkoi për tragjedinë familjare “Foxtrot”, nga regjisori izraelit Samuel Maoz, ndërsa francezi Xavier Le Grand u zgjodh si regjisori më i mirë për dramën e tij “Jusqu’a la Garde”. Charlotte Rampling mori statuetën si “Aktorja më e mirë protagoniste” për performancën e saj në filmin italian  “Hannah”, ndërsa palestinezi Kamel El Basha u vlerësua si aktori më i mirë për rolin në “The Insult”.

Ceremonia e çmimeve mbylli siparin e maratonës dhjetëditore të filmit, ku garuan 21 filma ndërkombëtare. Festivali i filmit në Venecia, më i vjetri në botë, konsiderohet edhe si trampolinë e sezonit të çmimeve në industrinë kinematografike.

Top Channel