Kosovë, dështon seanca e thirrur nga opozita

10/09/2017 00:00

Parlamenti i Kosovës u mblodh të dielën në seancë të jashtëzakonshme, me kërkesë të partive opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Alternativa, për të debatuar për programin e qeverisë së re, e zgjedhur të shtunën.

Por seanca, e cila u ndërpre për shkak të bojkotit nga partitë e koalicionit qeverisës, u shënua nga kritika të ashpra ndaj qeverisë së kryeministrit Ramush Haradinaj, e cila të shtunën u zgjodh me 61 vota në parlamentin 120 vendesh.

Kabineti i ri përbëhet nga koalicioni i Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës për Kosovën, me Aleancën Kosova e Re. Pjesë e kabinetit qeverisës është edhe Lista Serbe.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ritheksuan qëndrimin e tyre se, një qeveri e tillë nuk do të mund të ketë jetë të gjatë dhe se do të jetë e varur nga Beogradi. Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i bëri thirrje qeverisë së re që të mos dërgojë në Parlament, siç tha ai, çështje të mëdha që janë kundërshtuar edhe në të kaluarën, siç janë krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe marrëveshja për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Në një deklaratë për shtyp, kryeministri Haradinaj tha se seanca e së dielës nuk meritonte respekt.

“Dje ishte seanca për zgjedhjen e Qeverisë. Sot na kanë njoftuar për një seancë të jashtëzakonshme, shumë e habitshme kjo festë për shkak se kërkesa për ndërprerjen e debatit erdhi pikërisht nga opozita, kanë bërë 40 nënshkrime për një seancë e janë 31 deputetë në sallë. Ne nuk e vlerësuam këtë ftesë, do ta respektojmë Kuvendin, por kjo e sotmja nuk meriton respekt”, tha Ramush Haradinaj, kryeministër.

Top Channel