Kosovë, deputeti i Nismës i prish planet Haradinajt

09/09/2017 00:00

Për Ramush Haradinaj, që këtë të shtunë pritet të prezantojë kabinetin e tij, duket se kanë dalë pengesat e para. Deputeti i Nismës, Zafir Berisha ka deklaruar se nuk do t’ia japë votën ish-komandantit të UÇK-së për drejtimin e qeverisë.

“Me gjithë respektin tim personal për Ramushin, mendoj se respekti për Kosovën dhe institucinet tejkalon atë ndaj individit”, ka thënë Berisha në profilin e tij në Facebook, ku ka bërë me dije arsyet përse nuk do t’ia japë besimin kësaj qeverie. Ato janë:

1. “Kumbar” i këtij koalicioni është kryehajduti i Kosovës, Hashim Thaçi, personi përgjegjës për dështimin e shtetit, i cili është bërë me shumë sakrifica e gjak.

2. Qasja jokorrekte, joparimore dhe ofenduse e familjes Pacolli dhe Listës Serbe lidhur me qeverinë e re Haradinaj.

3. Emra jo të denjë, me të kaluar të dyshimtë korruptive, si dhe protagonistë të aferës “Pronto”.

“Ka edhe 101 arsye të tjera pse nuk duhet të keqpërdor besimin tuaj dhe ta votoj këtë kombinim qeverisës, ndërsa nuk e kam as edhe një arsye të vetme pse duhet të veproi ndryshe. Ju faleminderit për mirëkuptimin tuaj”, shton Berisha në postimin e tij.

Top Channel