Haradinaj, gati kabinetin e ri

09/09/2017 00:00

Kabineti qeverisës i Ramush Haradinajt duhet të votohet sot në Kuvendin e Kosovës, ku ekzekutivi i ri merr besimin për të qeverisur gjatë katër viteve të ardhshme.

Emrat e ministrave nuk janë zyrtarizuar ende të gjithë, por shtypi vendas thotë se PDK ka propozuar në postin e zëvendëskryeministrit njeriun të cilit i ishin besuar në qeverinë e mëparshme frerët e demokracisë së Kosovës, Enver Hoxhaj.

Ministrinë e Jashtme tanimë duket se do ta drejtojë kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, i cili do të jetë po kështu edhe zëvendëskryeministër. Një pozicion të tillë do ta ketë edhe Lista Serbe, që thuhet se do të drejtojë edhe tre ministri, një ndër të cilat ajo e Bujqësisë që iu hoq Aleancës Kosova e Re në valën e negociatave të ethshme për arritjen e numrave në Kuvend që do t’i hapnin rrugën zgjedhjes së kryetarit të ri të Parlamentit, Kadri Veseli.

Partia e Fatmir Limajt do të marrë Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, atë të Punës dhe Mirëqenies Sociale e të Arsimit.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës thirri sot në orën 16:00 një seancë të jashtëzakonshme me të vetmen pikë të rendit të ditës zgjedhjen e Qeverisë. Nuk përjashtohet mundësia që seanca sidoqoftë të zvarritet, të paktën për disa orë sepse deputetët e Listës Serbe mund të mos mbërrijnë në kohë. Ata kanë njoftuar se përpara votimit të qeverisë do të qëndrojnë në Beograd për konsultimet me zyrtarët e atjeshëm.

Haradinaj theksoi se tashmë është krijuar një traditë e bashkëpunimit me serbët e Kosovës dhe pret që ajo të vazhdojë edhe me Listën Serbe.

Top Channel