Prej mesditës së të enjtes, presidenti francez Emmanuel Macron ndodhet në Athinë për një vizitë dyditore, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, dy ministra të kabinetit dhe një grup prej 40 sipërmarrësish francezë.

Vizita e tij konsiderohet nga shtypi vendas dhe i huaj një mesazh besimi për Greqinë në lidhje me rimëkëmbjen e saj ekonomike. Pasi ka vendosur një kurorë lulesh në varrin e “Ushtarit të panjohur”, ai ka takuar homologun e tij grek, të cilit i ka shprehur vlerësimin për reformat e ashpra që ka ndërmarrë Greqia, duke përsëritur thirrjen për lehtësimin e barrës së borxhit grek.

“Populli grek ka paguar një çmim të lartë dhe sot duhet të gjejmë një frymë pajtimi midis përgjegjësisë, reformave dhe solidaritetit të nevojshëm, që duhet të tregojë Europa”, tha Emmanuel Macron.

Duke çuar edhe një mesazh drejt Berlinit, Macron ka mbështetur idenë e Gjermanisë për krijimin e një Fondi Monetar Europian, por ka theksuar se qëllimi përfundimtar duhet të mbetet një buxhet i Eurozonës i pavarur, që do të zbusë goditjet ekonomike për t’i dhënë fund krizave të ardhshme.

“Po, kemi nevojë për një Europë më të integruar, kemi nevojë për një buxhet të vërtetë europian. Një ministër financash, i cili me të vërtetë do të ushtrojë përgjegjësinë e tij demokratike që do t’i përkasë atij”, tha më tej Emmanuel Macron.

Në vizitën e presidentit francez veçohet simbolika e fjalimi të tij për demokracinë në kodrën “Pnika”, pranë Akropolit, aty ku athinasit e lashtë që në vitin 507 para Krishtit organizonin asambletë e tyre popullore.

Nga ana e tij, në takimin me Macron kryeministri grek Tsipras ka theksuar se vizita e tij vjen në një moment kur po merr fund kriza greke, e cila ishte edhe një krizë europiane, e kjo rimëkëmbje e Greqisë shënon edhe fundin e krizës ekonomike në Europë.

Me interes priten takimet e përbashkëta midis përfaqësuesve të ekonomisë dhe të sipërmarrësve francezë me ata grekë, për të shqyrtuar mundësitë, por edhe vështirësitë, për investime në Greqi, kryesisht në fushat e energjisë, infrastrukturës, transportit dhe mjedisit.

Top Channel