Konferencë Haradinaj-Veseli: Të premten prezantohet kabineti

07/08/2017 00:00

Ramush Haradinaj, i mandatuari për kryeministër, dhe kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Kosovës kanë dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp, nga ku kanë njoftuar se duke nisur nga e premtja Kosova do të ketë kabinetin e ri qeveritar.

Në konferencë, Haradinaj refuzoi të japë emrat e ministrave, por ka deklaruar se do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore.

“E dimë të gjithë procedurën. Me kërkesën për seancën dorëzojmë edhe programin. Programi vjen pas një kohe të gjatë për të gjithë. Besoj se nesër do të prezantojmë edhe kabinetin. Do të ndjekim të gjitha procedurat ligjore”, ka thënë Haradinaj.

Ende nuk dihet zyrtarisht ndarja e ministrive për partitë në koalicion, për arsye se ka pasur mosmarrëveshje mes koalicionit “PANA” dhe “Listës Serbe”.

Ndërkohë, Veseli tha se nga kjo e enjte nuk ka më një bllokadë institucionale në Kosovë, ndërsa përpara i presin shumë punë për të bërë.

Seanca e sotme, ku u zgjodh kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, duke mundësuar dhe konstituimin e Kuvendit, u mbajt më 7 shtator në ditën e Kushtetutës së Kaçanikut. Veseli tha se kjo është një koinçidencë e mirë.

“Koinçidenca e 7 shtatorit është ditë historike për Kushtetutën e Kaçanikut. Por edhe konstituimi i Kuvendit tonë është një shenjë e mirë, sepse ne punojmë për të mirën e qytetarëve dhe të atdheut tonë, që të mbrojmë atë që kemi arritur deri më tani, të respektohet vullneti qytetar dhe të kemi institucione që lidhen drejtpërdrejt me vendin tonë dhe integrimin euroatlantik”, tha Veseli.

Veseli ka falënderuar të gjithë deputetët që e votuan sot, si nga pozita, ashtu dhe nga opozita.

“Nga dita e sotme nuk ka më bllokadë institucionale. Kemi një axhendë të gjatë përpara nesh, që lidhet me jetën e përditshme të qytetarëve tanë. Nuk kemi kohë për të humbur, ndaj kam proceduar të Presidenti i Kosovës propozimin për të mandatuarin tonë”, tha kryeparlamentari.

Top Channel