Veseli, kryetar me votat serbe. Pakicat, në koalicion me “komandantët e luftës”

07/09/2017 00:00

Tre muaj nga zgjedhjet e 11 qershorit dhe pas 6 përpjekjeve të dështuara, seanca konstituive e Parlamentit të Kosovës më në fund arriti të finalizohet. Me 62 vota pro e 52 kundër, kryetari i ri i Kuvendit është kandidati i koalicionit “PAN”, Kadri Veseli.

Seanca duhej të niste në mëngjes, por për shkak të mungesës së deputetëve të këtij koalicioni në sallë, kryesuesi i Parlamentit, ligjvënësi më i vjetër i tij Adem Mikullovci vendosi shtyrjen për në orën 14:00.

Votimi ishte një formalitet. Marrëveshja ishte vulosur parimisht që mbrëmjen e së mërkurës mes udhëheqësve të PDK-së, AAK-së, Nismës, AKR-së, përfaqësuesve të “Listës Serbe” dhe pakicave të tjera.

Negociatat vazhduan për orë të tëra, e në fund, grupi i partive politike i drejtoi kryetarit kërkesën e mbledhjes së Parlamentit për të përmbyllur kështu një odise të nisur më 3 gusht. Përgjatë të gjithë ditës kishin qenë kushtet e “Listës Serbe” ato që e vinin në pikëpyetje thirrjen e seancës konstituive.

Përfaqësuesit e saj këmbëngulnin të merrnin 3 ministri, përfshirë edhe atë të Bujqësisë, e caktuar fillimisht për Aleancën Kosova e Re. Raporte në shtypin vendas tregojnë se Pacolli ka pranuar të bëjë kompromis, duke u tërhequr nga kjo ministri, të cilën thuhet se do ta drejtojë Nenad Rikalo, aktualisht përfaqësues i “Listës Serbe” në Komisionin Qendror Zgjedhor.

Zhbllokimit të situatës ia hapi rrugën marrëveshja e arritur në fillim të javës mes koalicionit “PAN” dhe AKR-së. Në momentin e zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve, Kuvendi konsiderohet i konstituuar. Votimi për qeverinë e re pritet të realizohet të shtunën.

Top Channel