Gjatë nënshkrimit të një memorandumi nga kryeministrat e Greqisë dhe Bullgarisë, për ndërtimin e një linje hekurudhore midis dy vendeve, Alexis Tsipras dhe Bojko Borisov kanë theksuar se, vetëm nëpërmjet bashkëpunimit ekonomik, mirëqenies, lënies pas të zërave të së kaluarës dhe përçarjes, mund të ketë paqe në Ballkan, në këtë rajon që ka parë shumë gjakderdhje, sidomos në 100 vitet e fundit.

Sipas kryeministrit bullgar, që bashkë me homologun e tij grek do të kërkojnë ndihmë financiare për këtë projekt nga BE-ja, duke futur në të edhe Rumaninë me Serbinë, do të ishte mirë që të gjithë udhëheqësit e Ballkanit të rishikonin edhe njëherë se çfarë kanë thënë në axhendën e Selanikut në vitin 2003.

“Para 20 vitesh kishte tensione, masakra dhe askush nuk doli i fituar. Historia është histori dhe kjo është e kuptueshme. Por shtetet e tjera jo anëtare duhet të shohin sesa kanë ndryshuar Bullgaria dhe Rumania, pasi kanë hyrë në BE. Këtë ia kam thënë edhe kryeministrit të Serbisë, edhe homologut tim në Shkup, edhe atij të Kosovës. Me luftërat që janë bërë nuk është arritur asgjë. Por nëse jemi bashkë do të ketë mirëqenie dhe paqe”, ka thënë Borisov.

Në të njëjtën gjatësi vale kanë qenë edhe deklaratat e kryeministrit grek, Alexis Tsipras.

“Duam të luajmë një rol pozitiv si forcë e stabilitetit, paqes dhe bashkëpunimit, si një nyje midis 3 kontinentesh, një karakteristikë që na jep pozicioni ynë gjeografik”, tha Tsipras.

Për sa i përket linjës hekurudhore midis dy vendeve, që tregon mundësitë për një aktivizim të përbashkët të vendeve të Ballkanit dhe vendeve anëtare të BE-së, kjo linjë do të lidhe 3 porte të Greqisë: Selanikun, Kavalën dhe Aleksandroupolin; me 3 porte të Bullgarisë: Burgas, Varna dhe Ruse, me dalje në lumin Danub.

Top Channel