Mogherini: Ballkani, në BE. Përparim të prekshëm për dy vite

06/09/2017 00:00

“I gjithë Ballkani do të bëhet pjesë e Bashkimit Europian”, deklaroi shefja e diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini, gjatë forumit strategjik në Bled të Sllovenisë.

Kryediplomatja europiane është shfaqur me kohë si mbështetëse e fortë e integrimit të vendeve të rajonit dhe nuk mjaftohet thjesht me zotime.

“Ne po punojmë fort për t’i ofruar secilit prej partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor një perspektive anëtarësimi në bllokun europian”, u shpreh ajo, duke i përsëritur edhe njëherë pohimet e veta të mëparshme, se “Ballkani, në fakt është pjesë e Europës dhe shtetet e tij dëshirojnë dhe meritojnë të njëjtat mundësi, të njëjtën siguri dhe të njëjtat të drejta, si të gjithë qytetarët e tjerë të kontinentit të vjetër”.

“Për mua është e qartë se, i gjithë Ballkani duhet dhe do të jetë pjesë e Bashkimit Europian”, deklaroi Mogherini.

Mogherini kujtoi se kjo u premtua vite më parë në Samitin e Selanikut dhe se mbështetja e të 28 vendeve anëtare të BE-së u përforcua sërish marsin e këtij viti.

“I kam vënë vetes qëllimin që deri në fundin e mandatit të Komisionit aktual Europian, pas dy vitesh, të shohim një përparim praktik e të prekshëm të të 6 partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor. Një përparim, i cili do ta bëjë të pakthyeshme rrugën e tyre drejt BE-së”, tha Mogherini.

Kryediplomatja europiane shtoi se ka pasur vërtet momente krizash serioze në rajon, por shtetet e tij arritën t’i kapërcejnë vështirësitë, – thotë ajo, – e po vazhdojnë avancimin drejt BE-së.

Top Channel