BERZH: Një mld euro për Ballkanin, në infrastrukturë e tregti

06/09/2017 00:00

Shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të përmirësojnë ndërlidhjen e rëndë, siç janë linjat e transportit, e të forcojnë sistemin e tyre ligjor, nëse duan të tërheqin më shumë investime.

Këshilla vjen nga zëvendëspresidenti i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Pierre Heilbronn, i cili tha për “Reuters” se, BERZH do të investojë në vazhdimësi një miliard euro në vit në rajon, duke mbuluar kështu Serbinë, Bosnjen, Malin e Zi, Maqedoninë, Kosovën e Shqipërinë, që të gjitha aspirante për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Për Heilbronn, këto vende tani duhet të fokusohen te mënyrat e largimit të pengesave ndërmjet tregjeve, të cilat të vetme konsiderohen të vogla edhe për vet investitorët e brendshëm.

“Çdo gjë që ka të bëjë me ndërlidhjen e rëndë, ashtu si çdo gjë që ka të bëjë me sundimin e ligjit, konsiderohet e një rëndësie kyçe”, tha Pierre Heilbronn, zv.president i BERZH-it.

Me procesin e zgjerimit, për momentin të ngrirë, Bashkimi Europian po i nxit shtetet e Ballkanit t’i integrojnë më mirë ekonomitë e tyre për një zhvillim dhe stabilitet më të madh, i shqetësuar nga marrëdhëniet shpeshherë të brishta rajonale dhe ndikimi në rritje i Rusisë.

Mosmarrëveshjet politike, megjithatë, po i frenojnë të tilla përpjekje, siç ishte rasti i Samitit të Triestes, ku Bosnja nuk e firmosi marrëveshjen e përmirësimit të linjave të transportit, për shkak të kundërshtisë së rajonit të saj autonom serbo-boshnjak.

Nga sa shpjegon Heilbronn, aktualisht BERZH po përqëndrohet në mënyrë të veçantë tek investimet në energjinë e ripërtëritshme dhe efikasitetin energjetik, që mund të ndihmojnë ndjeshëm në drejtim të kursimit.

Top Channel