Java njujorkeze e modës, e para që ngre siparin e një shtatori të mbushur me shfaqje të tilla në mbarë botën, është kthyer në magnet për stilistët e etur të prezantojnë vizionin e tyre të sezonit “Pranverë 2018”.

Mbi 800 stilistë përgatiten të prezantojnë veshjet e reja nëpër pasarela, të organizuara në mbarë Nju Jorkun, e disa emra të njohur si Tommy Hilfiger, Thom Browne, Proenza Schouler dhe Altuzarra kanë preferuar t’i mbajnë spektaklet e veta përtej detit.

Edhe pse duhej të ishte saktësisht një javë, shfaqja që nis të enjten do të përfundojë një ditë më shpejt, që do të thotë të mërkurën më 13 shtator. Kjo bëhet me qëllimin që blerësit dhe botuesit të kenë më tepër kohë në dispozicion për të mos humbur fillimin e javës londineze të modës, e cila çelet menjëherë pas asaj të Nju Jorkut.

“Kur shikon sesi nis sezoni i javës së modës në Nju Jork, pastaj vijnë ato të Londrës, Milanos e më tej Parisit, është logjike të mendosh se çfarë stërmundimi do të jetë për personat që i ndjekin këto shfaqje. Qëllimisht e vendosëm ta shkurtonim javën tonë me një ditë, sepse menduam për kolegët europianë”, tha Steven Kolb, president i këshillit të stilistëve të Amerikës, “CFDA”.

“Fashionist”-ët brenda dhe jashtë pasarelave pritet të mbajnë nga një fjongo blu, të krijuar nga këshilli i stilistëve të Amerikës “CFDA”, në bashkëpunim me grupin e të drejtave civile “ACLU”.

Yjet e ekranit kanë të gjithë vitin që shfaqen me të në tapetin e kuq, por fjongot që do të përdoren në javën njujorkeze të modës e kanë të shënuar këtë me inicialet “NYFW”. Sezonin e kaluar, “CFDA” bashkoi forcat me “Planned Parenthood” për të krijuar fjongo ngjyrë rozë, të cilat iu shtuan si zbukurim modeleve në pasarelat e stilisteve me emër, si Georgina Chapman e “Marchesa”-s, ndërsa me një të tillë u shfaq edhe botuesja me emër e modës, Anna Wintour.

Top Channel