AKR në koalicion, bëhen numrat për qeverinë në Kosovë

04/09/2017 00:00

Partia Aleanca për Kosovën e Re e Behgjet Pacollit, me nënshkrimin e marrëveshjes për të qenë pjesë e koalicionit PAN, i hap rrugë rrugën krijimit të Qeverisë dhe sigurisht përfundimi të krizës politike.

Pas firmës dhe shtrëngimit të duarve me krerët e tjerë të koalicionit, lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, përmes një postimi në “Facebook” sqaroi arsyet e nënshkrimit të marrëveshjes. Duke cituar Martin Luther King, Pacolli tha se AKR nuk është përgjegjëse për krizën në Kosovë, por do të bëhet e tillë nëse nuk ndërmerr asnjë hap për të ndryshuar situatën.

“Përballë alternativës së zgjedhjeve të parakohshme, zinxhirit të krizave që do ta shkatërronin ekonominë e brishtë të Kosovës dhe imazhin ndërkombëtar të saj, unë dhe AKR zgjodhëm të marrim përsipër përgjegjësi”, shkruan Pacolli në FB.

Marrëveshja sidoqoftë i ka vlejtur shumë AKR, e cila me vetëm katër deputetë ka marrë zëvendëskryeministrin e parë, 5 ministri dhe 7 zëvendësministra.

Dikasteret që do të drejtojë AKR janë  Ministria e Jashtme, Ministria e Brendshme, Ministria e Planifikimit Hapësinor, Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik. Ndërkohë, pas marrëveshjes, koalicioni PAN ende nuk ka marrë vendim se kur do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, për krijimin e institucioneve. Sipas zëvendës kryetarit të PDK-së Enver Hoxhaj, ka nisur koordinimi mes partnerëve dhe pritet që kjo të ndodhë shumë shpejt.

Top Channel