Suedia e shënoi plot stil ditën botërore të mjekrës, me një shfaqje të zhvilluar në Stockholm, ku u shpall edhe berberi më i mirë i vendit.

Katër profesionistët më në zë të Suedisë ishin në mesin e atyre që u përballën me sfidën e shkurtimit dhe modelimit të mjekrës së meshkujve, të ulur në karrige përpara tyre. Berberët duhet të jepnin më të mirën e vet brenda harkut kohor të 45 minutave.

“Ajo që desha të shoh është sesi mund ta menaxhonin situatën, duke i dhënë mjekrës një formë të tillë që të përshtatej me konturet e fytyrës. Sigurisht që e shohim edhe formën e dhënë. Kreativiteti na intereson shumë”, tha Jac Ludlow, drejtuesi i jurisë.

Gara ishte për burrat, por jo vetëm mes burrash. Carin Forsgren përdori një sërë teknikash që e bindën syrin e kujdesshëm të jurisë t’ia jepte asaj trofenë e shfaqjes, duke e shpallur fituese e duke i përmbushur kështu një ëndërr të hershme.

“Ndihem jashtëzakonisht mirë, është fantastike, e kam ëndërruar këtë prej shumë kohësh”, tha Carin Forsgren, berbere.

Mjekrat kanë fituar popullaritet të madh në Suedi këto vitet e fundit dhe ishin të shumtë admiruesit e mbledhur, jo vetëm për të parë shfaqjen, por edhe për të përfituar një përmirësim të pamjes së tyre nga specialistët më të mirë të botës.

Top Channel