Panairi i insekteve, hap dyert në Nju Jork

02/09/2017 00:00

Insektet janë në menu këtë fundjavë në “Brooklyn Bugs” në qytetin e Nju Jorkut. Ekspozita e ushqimit “The Brooklyn Bugs” është një sipërmarrje e parë e këtij lloji që mbledh bashkë fermerët e insekteve, kuzhinierët dhe produktet ushqimore që kanë në bazë insektet.

Ajo synon të nxisë njerëzit që të paktën të provojnë ushqimet nga insektet. Bulkthat, krimbat, karkalecat dhe rreth 200 varietete të tjera insektesh, janë të gjithë të ngrënshëm dhe plot me proteina dhe përbërës të tjerë. Në eventin tre ditor në Nju Jork, vizitorët do të kenë mundësi edhe të shijojnë disa ushqime, pije apo argëtime, gjithçka me në qendër insektet…

“Bruklin Bags, është një mundësi për të hedhur dritë mbi insektet e konsumueshme dhe synon po ashtu të ndihmojë në ndryshimin e perceptimit të amerikanëve mbi atë se si është të konsumosh insekte…ne duam që të rrisim ndërgjegjësimin si nga pikëpamja e vlerave ushqimore ashtu edhe nga ajo kulturore”, u shpreh Josef Yoon, organizator.

Rritja e insekteve, sipas specialisteve, kërkon shumë më pak burime nga ato të nevojshme në fermat e bagëtive.

“Nuk është vetëm një insekt i bezdisshëm, i neveritshëm apo i çuditshëm…është diçka që është rritur me kujdes, diçka që mund të gatuhet mrekullisht nga kuzhinierët dhe është po aq e ushqyeshme sa edhe e shijshme”, tha një Yoon.

Në menunë e drekës ka pure vegjetariane me bulktha, friturë karkalecash dhe kek me bulktha. Ata që e provojnë, dalin të kënaqur…Vetë kuzhinierët thonë se gjithnjë e më shumë po rritet ndërgjegjësimi për ushqimet me bazë insektet. Sipas tyre, kjo tregon një zgjerim të kulturës së ushqimit. Gjithnjë e më shumë njerëzit po konsumojnë këto ushqime dhe tregu po njeh rritje. Në 2015 tregu vlerësohej të kapte shifrën e 33 milionë dollarëve dhe pritet që deri në 2023 të njohë një rritje prej 40 për qindësh.

Top Channel