Ankand me sendet personale të Audrey Hepburn

01/09/2017 00:00

Një ekspozitë me koleksionin personal të legjendës së filmave dhe modës, Audrey Hepburn, është hapur në Hong Kong të premten, para një ankandi në Londër.

Një përzgjedhje e sendeve personale të saj, mes të cilave skenari i “Mëngjes te Tifani”, bizhuteritë e saj dhe një numër fustanesh të veshura nga diva u ekspozuan.

“Do të ishte për të ardhur keq, që të gjitha këto gjëra të qëndronin në një magazinë, në errësirë për 25 vitet e ardhshme. Ato kanë qenë pjesë e një koleksioni, e një ekspozite, kanë shëtitur nëpër botë dhe kanë mbledhur parà. Ndaj ne jemi të kënaqur që ato mund të gjejnë një shtëpi dhe të ruhen atje”, tha Sean Hepburn-Ferrer, djali i Audrey Hepburn.

Skripti me shënimet personale të Hepburn i “Mëngjes te Tifani” vlerësohet nga shtëpia e ankandeve “Christie’s” se do të shitet për mbi 77.500 dollarë, por zyrtarët thonë se është e vështirë t’i vendoset një çmim fillestar një sendi me një vlerë kaq të madhe sentimentale.

Koleksioni do të zhvendoset në Londër dhe do të paraqitet në një ankand elitar në shtëpinë e ankandeve “Christie’s” më 27 shtator.

Top Channel