Nudistët në Paris më në fund do të kenë një vend për të hequr gjithçka përgjatë dy javëve në vazhdim, në një zonë të planifikuar në parkun “Bois de Vincennes”, në lindje të qytetit.

Penelope Komite, përgjegjëse për parqet e qytetit, tha se krijimi i një zone në “Bois de Vincennes” ku lakuriqësia do të jetë e lejueshme, është pjesë e vizionit të tyre të hapur për përdorimin e hapësirave publike në Paris. Ky do të konsiderohet një eksperiment dhe zona do të jetë e hapur nga 31 gushti deri në 15 shtator, nga ora 8 e mëngjesit deri në 19:30.    

Përdoruesit e saj do të njoftohen përmes sinjalistikave se çfarë po ndodh rreth e qark zonës që mbulon një sipërfaqe prej 7300 metër katrorë. Autoritetet thanë se nuk do të tolerohen vuajerizmat dhe ekzibicionizmi, duke i garantuar qetësi atyre që duan të shijojnë natyrën ashtu siç i ka bërë nëna.

Shoqata e Natyralistëve në Paris e mirëpriti vendimin, duke thënë se mijëra vetë do të shfrytëzojnë zonën. Parizienët kanë edhe një pishinë publike ku të mund të notojnë nudo 3 herë në javë dhe rreth vendit janë 460 zona që i rezervohen kësaj kënaqësie, përfshirë 155 kampingje dhe 73 plazhe.

Më shumë se 2.6 milionë njerëz në Francë e kanë kthyer nudizmin në një zakon të rregullt.

Top Channel