Përpara vizitës së të enjtes në Shkup, të shefit të diplomacisë greke Nikos Kotzias, ministri maqedonas i Punëve të Jashtme, Nikola Dimitrov është shprehur se Maqedonia mbetet e përkushtuar në ndërtimin e raporteve të mira me vendet fqinje, veçanërisht me Greqinë me të cilën prej mbi dy dekadash ka mosmarrëveshje për çështjen e emrit.

Sipas asaj që thotë Dimitrov, e rëndësishme është vendosja e marrëdhënieve të hapura dhe përcaktimi se çfarë është me rëndësi për Greqinë, por edhe për Maqedoninë. Ai theksoi se Shkupi kërkon zhbllokimin e procesit të intergrimit euroatlantik të Maqedonisë, i bllokuar nga Greqia, bazuar në marrëveshjen e përkohshme mes dy vendeve, deri në arritjen e një pakti përfundimtar për emrin kushtetues të Maqedonisë.

Por, ajo që bie në sy në deklaratën e tij është se Maqedonia duket e gatshme të pranojë anëtarësimin në NATO, edhe me emrin ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.

“Republika e Maqedonisë, në përputhje me marrëveshjen e përkohshme, është e gatshme që të pranojë ftesën për t’u pranuar në NATO me referencën e përkohshme, me të cilën është pranuar edhe në OKB, me emrin ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë. Kjo është në përputhje edhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Jemi të bindur se kjo do të krijonte një mirëkuptim më të madh në opinionin tonë, pasi bllokada shumëvjeçare nuk e ndihmon konstruktivitetin mes dy vendeve”, ka deklaruar Dimitrov.

Ministri i Jashtëm maqedonas tha më tej se vendi i tij nuk dëshiron të nisë lojërat e akuzave me Greqinë, kjo sepse anëtarësimi i Maqedonisë në NATO nënkupton aleancë mes dy shteteve.

“Pozicioni ynë ka qenë i rrënuar vitet e fundit. Kemi bërë shumë gjatë këtyre dy muajve e gjysmë, që nga formimi i qeverisë së re, por duhet ende shumë për të bërë, që të kthejmë miqtë tanë të vjetër, të krijojmë miq të rinj dhe të japim fakte se ne nuk jemi problemi. Qëllimi kryesor për ne mbetet qëndrueshmëria në rajon, në mënyrë që rajoni të jetë shtëpia e të gjithëve, e një Europe të bashkuar dhe të qëndrueshme”, ka deklaruar Dimitrov.

Në konferencën kushtuar anëtarësimit në NATO ka marrë pjesë edhe ambasadori i SHBA-ve në Shkup, Jess Baily, i cili i ka dhënë mbështetje të plotë procesit të integrimit euroatlantik të Maqedonisë.

“Maqedonia po kontribuon në stabilitetin global dhe rajonal. E dimë se rruga juaj drejt NATO-s ndonjëherë është frustruese, por ju keni qëndruar. Këtu është edhe mbështetja e opinionit dhe e të gjitha bashkësive etnike për anëtarësimin tuaj në NATO. Shpresojmë se një qëndrim i tillë do të vazhdojë, ne ju mbështesim dhe besoj se një ditë do t’iu urojmë mirëseardhjen si anëtare e re e NATO-s”, ka deklaruar Baily.

Top Channel