VIP-at, në ndihmë të Houstonit

30/08/2017 00:00

Kim Kardashian dhe familja e saj vendosën të dhurojnë gjysmë milioni dollarë për Houstonin e përmbytur prej rrebesheve të stuhisë “Harvey”, duke iu rreshtuar kështu një sërë emrave të njohur si Jennifer Lopez, Dwayne Johnson, lojtari i NFL-së J. J. Watt dhe komediani Kevin Hart, të cilët kanë premtuar që të gjithë fonde për mijëra personat e prekur nga vala e shkatërrimeve në këtë zonë, e në mbarë Teksasin.

Kim, motrat e saj Khloe e Kourtney, si dhe mamaja Kris Jenner shkruan në “Twitter” se, paratë do të derdheshin në llogari të Kryqit të Kuq dhe organizatës së krishterë të bamirësisë, “Ushtria e shpëtimit”.

“Houston, po lutemi për ty! Bashkë me nënën time dhe motrat do të dhurojmë 500 mijë dollarë”, ishte mesazhi i yllit të “reality show”-t në rrjetin social.

Hart ishte i pari që e vuri në lëvizje mekanizmin e dhurimit nga të famshmit. Të hënën, ai u zotua të ofrojë 50 mijë dollarë dhe hodhi dorashkën e sfidës në median sociale, ku u bëri thirrje yjeve t’i përgjigjeshin.

Johnson, Lopez dhe reperi DJ Khaled premtuan secili nga 25 mijë dollarë. Më shumë dha Watt, i cili hapi një faqe të tij “online” me thirrjet për ndihmë, ndërsa dhuroi vet 100 mijë dollarë. Fondi i tij mbërriti shumë shpejt një milion dollarët e lojtari thotë se qëllimi është të mbledhë të paktën 4 milionë.

Eksporti më i famshëm i Houstonit, Beyonce, që tani vonë është zhvendosur nga Nju Jorku në Los Angeles, thotë se po punon për një plan, përmes të cilit të ndihmojë rimëkëmbjen e qytetit të saj të lindjes. “Teksas, je në lutjet e mia”, ishte postimi i këngëtares në “Instagram”.

Top Channel