“MTV Video Music Awards”

28/08/2017 00:00

Mbrëmja e çmimeve “MTV Video Music Awards” (VMA’s) është gjithmonë një event i madh për muzikën “Pop”, por jo rrallëherë aty ka zënë vend edhe politika, e kjo ndodhi edhe në shfaqjen e Los Angelesit, ku artistë e organizatorë ngritën zërin kundër supremacisë së bardhë e kërkuan ndërgjegjësim më të madh për vetëvrasjet.

E ëma e Heather Heyer, të vrarë gjatë protestës në Charlottesville, dorëzoi çmimin “luftë kundër sistemit” e i bëri homazhe të bijës. “Më merr shumë malli për ty, por e di që je këtu sonte”, tha ajo.

Ceremonia vazhdoi më pas si normalisht. Fituesi i madh i mbrëmjes, reperi Kendrick Lamar çoi në shtëpi 6 çmime. Spektaklin, ai e çeli me një mesazh kundër brutalitetit policor.

Reperja Cardi B e preku gjithashtu këtë temë, duke i dhënë mbështetjen e saj lojtarit të “NFL”-së, Colin Kaepernick, i cili është lënë në stol pasi protestoi kundër padrejtësisë racore, duke u gjunjëzuar gjatë himnit kombëtar përpara ndeshjeve.

Artist i vitit u votua kantautori britanik Ed Sheeran. Pink, fituesja e çmimit të “avantgardës”, ia drejtoi së bijës fjalimin e falenderimit, i cili ishte aq prekës, sa i bëri disa prej të pranishmëve në sallë të përloten.

Katy Perry, moderatore e shfaqjes, e bëri hyrjen në skenë me një zbritje nga lart, e veshur si kozmonaute. Shfaqja 3-orëshe përfundoi me perfomancën e Nicki Minaj dhe “single”-n e saj “Swish Swish”.

Në këtë shfaqje muzikore mungoi Taylor Swift, por këngëtarja e ka prezantuar tashmë videon e saj muzikore të kthimit, pas një periudhe tërheqjeje. “Look What You Made Me Do” është klikuar deri tani më shumë se 12 milionë herë në “Youtube”.

Top Channel