Injeksionet antiinflamatore ulin sulmet kardiake

27/08/2017 00:00

Një studim i fundit ka zbuluar se injeksionet antiinflamacion mund të ulin rrezikun e sulmeve kardiake dhe mund të frenojë progresin e një tumori.

Studiuesit kanë gjetur se të mbijetuarve të sulmeve kardiake, të cilëve iu është dhënë një ilaç antiinflamator i quajtur “canakinumab”, kanë pasur më pak sulme kardiake në të ardhmen. Edhe vdekjet nga tumoret janë përgjysmuar te të trajtuarit me këtë ilaç, që normalisht përdoret vetëm për kushte të rralla inflamatore.

Statinat janë ilaçet kryesore për parandalimin e sulmeve kardiake, e funksion kryesor kanë uljen e nivelit të kolesterolit. Por, thuajse çereku i njerëzve që kanë pasur një sulm kardiak, kanë përjetuar një sulm të dytë brenda 5 viteve, pavarësisht se marrin rregullisht statina. Kjo ndodh për shkak të moskontrollit të inflamacionit të arterieve të zemrës.

Ekipi i studiuesve,i  udhëhequr nga spitali “Brigham and Ëomen” në Boston, testoi nëse targetimi i këtij inflamacioni me një agjent të fuqishëm antiinflamacion do të sillte përfitime shtesë përtej trajtimit me statinë.

Në studimin e njohur si “Cantos”, ata testuan mbi 10 mijë pacientë që kanë pasur një sulm kardiak dhe kanë pasur për pasojë një test pozitiv për inflamacion. Të gjithë pacientët morën doza të larta statine, sikurse edhe agjentët antiinflamacion “canakinumab” ose “placebo”, që të dyja këto që jepen përmes injeksioneve çdo 3 muaj. Testi zgjati për 4 vite.

Për pacientët që morën injeksione “canakinumab”, ekipi studiues raportoi 15% reduktim të rreziqeve për probleme të mëtejshme kardiovaskulare, përfshi sulmet kardiake fatale ose jo, apo edhe goditjet. Gjithashtu, edhe nevoja për procedura të kushtueshme kirurgjikale, siç janë operacionet për “bypass” apo futjen e strukturave tubulare për lehtësimin e pengesave në qarkullimin e gjakut, u shkurtuan me mbi 30%. Në përgjithësi nuk pati dallime në normat e vdekjes mes pacientëve të trajtuar me “canakinumab” apo atyre me “placebo”, ndërsa këto injeksione nuk e ndryshuan nivelin e kolesterolit.

Por ky trajtim studiues ka pasur edhe disa dobësi. Kërkuesit raportuan një rritje të mundësive për të vdekur nga infeksionet e rënda, në rreth një person për 1.000 të trajtuar, edhe pse kjo u kompensua nga një përgjysmim i papritur i vdekjeve nga sëmundjet kanceroze, të të gjitha llojeve.

Në veçanti, shanset për t’iu dorëzuar kancerit të mushkërive u ulën me 75%, edhe pse shkaqet, ekipi studiues nuk i ka kuptuar ende. Tashmë studiuesit kanë planifikuar të hetojnë më tej efektet potencialisht mbrojtëse të “canakinumab” ndaj kancerit.

Top Channel