Shndërrimi i Mikonosit, nga privatësia te shfaqjet e luksit – Foto

26/08/2017 00:00

Ishte viti 1961, kur Jackie Kennedi mbërriti për herë të parë në ishull, me një fustan pa mëngë dhe shall të thjeshtë në kokë.

Ndërsa gruaja më e famshme në botë zbriste në breg duke refuzuar ofertën e një taksie, për t’i eksploruar në këmbë dyqanet lokale, u mbollën farat e dashurisë së saj greke. Jo me manjatin e anijeve,  Artistotel Onasis, por me ishullin magjik të Mikonosit.

Me shtëpitë karakteristike bardhë e blu e mullinjtë e erës, nuk u desh shumë që arkipelagu në Egje të tërhiqte ajkën hollivudiane në brigjet e tij. Grace Kelly, Brigitte Bardot, Sophia Loren, Elizabeth Taylor, Paul Newman dhe Marlon Brando, i zbuluan shumë shpejt atraksionet e ishullit.

Ku tjetër mund të pije uzo e të festoje këmbëzbathur në plazhet e bardhë, në një heshtje të lavdishme. Por nga atëherë gjërat kanë ndryshuar ndjeshëm. Për personazhet e famshme që tani i drejtohen Mikonosit, privatësia është gjëja e fundit që u kalon në mendje.

Ishulli grek tani shquhet për festat e shthurura e luksoze të pasanikëve, duke tejkaluar në këtë aspekt edhe Ibizën. Parakalimi me jahte luksoze dhe ekstravaganca, janë tashmë elementë të pandashëm të Mikonosit.

Biznesmeni i njohur britanik Sir Philip Green, i cili ndër të tjera zotëron edhe kompanitë ‘Topshop’ e ‘Dorothy Perkins’, darkoi këtë javë me nënën e Kim Kardashin, Kris Jenner dhe stilistin Tommy Hilfiger, duke porositur rreth 200 pjata në një restorant, të cilat herë pas here i vërtiste në ajër si të ishin copa letrash.

Mes vipave të tjerë aspak modestë që kanë kolonizuar ishullin këtë verë përfshihet piloti i Formula 1 Lewis Hamilton, i cili është parë teksa endej në ishull me shishe shampanje Vev Kliko, Lindsay Lohan që dokumentonte në rrjetet sociale aventurat e saj, e Millie Mackintosh e cila postoi një foto nudo në një SPA të Mikonosit. Usain Bolt kaloi atje dy javë për të festuar tërheqjen nga atletika ndërkombëtare.

FOTO GALERI
1/15

Top Channel