Një punëdhënës grek në një zonë të bashkisë së Ilidas të gadishullit të Peloponezit është arrestuar pasi ka paguar katër të punësuar jo me para, por me… hashash.

Ngjarja është zbuluar kur autoritetet policore kanë arrestuar 4 pakistanezë të moshave nga 25 deri 29 vjeç që punonin në kultivimin e piperit dhe u kanë gjetur 215 gram hashash.

Të pyetur se ku e gjetën lëndën narkotike, ata janë përgjigjur se ishte pagesa për katër ditë pune dhe se ata kishin pranuar pasi edhe në të kaluarën kishin blerë te punëdhënësi i tyre sasi hashashi për përdorim vetjak.

Menjëherë organet policore kanë arrestuar 48-vjeçarin grek, i cili ka pohuar se u ka dhënë hashash katër pakistanezëve, jo si pagë për punën e tyre, por si dhuratë.

Sipas policisë së Ilidhas, 48-vjeçari ka një dosje të mbushur penale sidomos për sa i përket shkeljes së ligjit të trafikimit të lëndëve narkotike.

Top Channel