Fotot e dasmës, industri fitimprurëse në Kinë

25/08/2017 00:00

Është një ditë e ngjeshur për studiot 24-orëshe të fotografive të dasmave në Pekin dhe nëpër setet e ndryshme luksoze janë mbi 75 çifte që pozojnë.

Industria e fotove të dasmës është bërë shumë fitimprurëse në Kinë, ku çiftet shpenzojnë gjithçka, nga 15 deri në 25% të buxheteve të tyre për dasmat, për fotot, çka ka bërë që industria të kapë vlerën e miliarda dollarëve. 11.7 miliardë dollarë në 2014 sipas të dhënave nga Ministria e Tregtisë.

Fotot e dasmës janë diçka që bëhet para ditës së madhe, e në seanca ndryshohen kostumet, janë të pranishëm artistët e “makeup”-it, asistentë-fotografë, ndërkohë që sfondet janë mbresëlënëse. E veshur me një fustan blu të shndritshëm, e rrethuar nga luksi i një princeshe, Chen Xueling e sheh me ëmbëlsi të fejuarin e saj. Disa çake më vonë, një tjetër destinacion pret maratonën e fotove të çiftit.

Ashtu si ata të dy, që kanë pritur tre muaj për këtë okazion, shumë të tjerë i drejtohen studiove gjigande për seancat e tyre. Atje ata kanë shansin të pozojnë para peizazheve të fshatrave grekë, tempujve kinezë, dhomës së gjumit të Luigjit XIV etj. Të gjitha këto, në një ditë…

“E gjithë kjo ia vlen pasi ne do të kemi në duar këto kujtime të bukura në të ardhmen. Edhe gjatë dasmës ne do t’i tregojmë këto foto në një ekran të madh”, thotw Chen Xueling.

Por, ka edhe nga ata që i çojnë gjërat akoma më tej. Nëse ecën përgjatë urës Uestminster, sigurisht do të shohësh ndonjë çift kinez që pozon para Big Benit. Është një skenë që përsëritet edhe para kullës Eiffel, para portave të Brandenburgut apo edhe shumë vende të tjera të famshme në botë.
Fotot në udhëtim janë një mënyrë moderne dhe krejt e ndryshme, thotë Yang Lili, ndërsa bën një pauze në seancën e fotografimit para Shtëpisë së Parlamentit, e veshur me fustan të gjatë, me kalimtarët që nuk mund të bëjnë ndryshe veçse të kthejnë kokën e ta shikojnë.

Ajo ka zgjedhur një kompani londineze, që punon ekskluzivisht për tregun kinez dhe gjithçka i ka kushtuar 2400 dollarë. Ata që kanë më shumë mundësi e zhvendosin setin e fotografimit, nën det. Si për shembull Xu Jiaqian, një mësuese arti, e cila donte diçka të re dhe të ndryshme. Duke dalë nga pishina, ajo thotë se pozimi nën ujë nuk ishte aq i vështirë sa e kishte imagjinuar, edhe pse nuk është e sigurt për rezultatet.

Top Channel