Emisioni investigativ “Fiks Fare”, një nga programet më të ndjekura në ekranin e Top Channel, po përgatitet për nisjen e sezonit të ri televiziv.

Ndërsa dy prezantuesit do të vijnë sërish në shtëpitë e shqiptarëve për çdo mbrëmje, “Fiks Fare” është në kërkim të brunes dhe bjondes më të bukur shqiptare, dy velinave që këtë vit do t’i shoqërojnë ata.

Që prej mbylljes së sezonit të kaluar, stafi organizator i “Fiks Fare” ka pritur aplikime nga vajzat nga e gjithë Shqipëria, të cilat duan të bëhen pjesë e kësaj eksperience.

Audicionet nisën këtë të martë, kur me dhjetëra vajza u prezantuan në studiot e emisionit “Fiks Fare”. Nga Tropoja, Fieri, Lezha apo Tirana, me apo pa eksperiencë në kërcim, emëruesi i përbashkët i tyre është dëshira për të qenë pjesë e ekranit.

Pas kuintave, por edhe para kamerave, vajzat nuk e fshehin dot emocionin gjatë audicioneve, pasi është juria profesioniste, ajo që do të vendosë se cilat do të jenë dy velinat e ardhshme.

Audicionet janë të hapura deri në fund të muajit gusht, për të gjitha vajzat që dëshirojnë të prekin ëndrrën televizive e të shfaqen më 4 shtator në ekranin e Top Channel.

Top Channel