Homazhe për Bajram Rexhepin

22/08/2017 00:00

Homazhe janë mbajtur deri në mesditë në sallën e Kuvendit të Kosovës në nder të kryeministrit të parë të pasluftës, Bajram Rexhepi, i cili ndërroi jetë të hënën në Turqi pas disa muajve të kaluar atje në spital, për shkak të një hemorragjie cerebrale.

I pari në Kuvend mbërriti kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. Homazhe kanë bërë edhe Isa Mustafa e bashkëpunëtorë të partisë së tij LDK, si dhe politikanë të tjerë. Personalitete të larta të vendit dhe të rajonit kanë ngushëlluar familjen dhe popullin e Kosovës për humbjen e njeriut që shërbeu si kryetar ekzekutivi në vitin 2002, në kohën që Ibrahim Rugova u zgjodh President.

Nga viti 2010 deri në vitin 2014, Rexhepi ka qenë ministër i Brendshëm i Kosovës. Vitet e fundit u tërhoq nga politika, për shkak të zhgënjimit me zhvillimet politike në vend. Në zgjedhjet e parafundit parlamentare nuk u përfshi fare në listën zgjedhore të partisë që i takonte, Partisë Demokratike të Kosovës, e që prej atëherë punonte në profesionin e tij si mjek në Mitrovicë.

Top Channel