Shkëndija fiton derbin me Shkupin

21/08/2017 00:00

Shkëndija e Tetovës rikthehet te fitorja. Kuqezinjtë e teknikut Qatip Osmani kanë arritur të reagojnë shpejtë pas humbjes ndaj Milanit në Europa League, pasi kanë arritur të fitojnë në derbin e dy ekipeve shqiptare, duke mundur Shkupin me rezultatin 3-0, në javën e dytë të kampionatit maqedonas.

Një pjesë e parë nga ku nuk u arrit dot të prodhehej asnjë gol, e kundërta ndodhi me fraksionin e dytë të lojës.

Ishte Armend Alimi ai që i mundësoi tetovarëve golin e epërsisë në të  49. Kuqezinjtë shfaqen dominant dhe më kërkues. Vendosmëria e tyre për të gjetur golin e dytë, shpërblehet në minutën e 62, me Besart Ibrahimi që arrin të ndalë topin në fundin e rrjetës. Shkupi tenton të reagojë disi, por pa efikasitet, pasi tetovarët nuk i krijojnë hapësira kundërshtarit. Goli i tretë dhe i sigurisë për Shkëndijen vjen falë Marjan Radeski në të 79.

Në derbin e dy ekipeve shqiptare, Shkëndija arrin të sigurojë tre pikë shumë të rëndësishme përballë Shkupit, në javën e dytë të kampionatit maqedonas, çka i siguron atyre qëndrimin në krye të tabelës së klasifikimit me 6 pikë të plota, ndërkohë që Shkupi në shtatin me vetëm 1 pikë. Kjo është fitorja e dytë për kuqezinjtë tetovarë, pas asaj të siguruar që javën hapëse të kampionatit përballë kampionëve në fuqi të Vardarit.

Top Channel