Oregoni ka qenë i pari që është përfshirë nga errësira gjatë eklipsit të parë total të diellit në plot 99 vite, teksa ngjarja e parë qiellore nisi rrugëtimin nga perëndimi në lindje të Shteteve të Bashkuara.

Eklipsi total i diellit nisi në shtetin e Oregonit pak pas orës 9 të mëngjesit me orën lokale, kur hëna nisi dalëngadalë t’i zinte vendin diellit. Në orën 10:20 dielli ishte bllokuar tërësisht, duke krijuar atë që duket si një rrip unazor të shndritshëm përreth satelitit të vetëm natyral të Tokës.

Dukuria qiellore ka prekur të gjithë territorin amerikan, nga veriperëndimi në juglindje, duke përfunduar në Karolinën e Jugut në orën 15:00 me atë lokale.

Eklipsi diellor është një ngjarje që është parë e plotë në vetëm 14 shtete, ndërsa në pjesën tjetër të Shteteve të Bashkuara dukuria ka qenë e pjesshme, me hënën që mbuloi vetëm një pjesë të diellit.

Në Oregon, atmosfera ka qenë e jashtëzakonshme, me njerëzit që kishin dalë nga shtëpitë e tyre për të parë në ambiente të hapura dhe me mjete të posaçme, apo edhe rrethanore, dukurinë e rrallë qiellore.

Kjo ishte një mundësi e rrallë për amerikanët e këtij brezi, të cilët sipas parashikimeve të shkencëtarëve mund të kenë mundësi të shohin sërish një dukuri të tillë pas 7 vitesh, kur një tjetër eklips diellor të prekë Amerikën e Veriut në prill të vitit 2024.

Fakt kurioz është se dukuria mbuloi një territor prej 4.200 kilometrash, përmes 14 shtetesh, duke nisur nga Lincoln City i Oregonit e duke kaluar më pas në Casper, Wyoming, Carbondale, Illinois, Nashville të Tennessee dhe duke përfunduar në Charleston, South Carolina. Momenti më i gjatë i “natës” në mes të ditës është shënuar pikërisht në Illinois me 2 minuta e 44 sekonda.

FOTO GALERI
1/19

Top Channel