Nadal ngjitet në krye të renditjes ATP, kërcënohet nga Federer

21/08/2017 00:00

Ashtu siç parashikohej, Rafael Nadal u rikthye në majën e renditjes së tenisit profesionist për meshkuj. Rezultatet e fundit të sportistit nga ishulli i Majorkës dhe grumbullimi i 7.645 pikëve në total i dhanë fronin e lakmuar në një distancë 3-vjeçare, nga hera e fundit që iberiku i shihte rivalët e tjerë nga kaq lart.

Nadal spostoi skocezin Andy Murray pas 34 javësh dominim të tenistit britanik, por në të vërtetë kërcënimi kryesor për postin që mban aktualisht spanjolli nuk është britaniku.

Legjenda e tenisit, Roger Federer duket se nuk po njeh moshë për të vendosur rekord pas rekordi. Zvicerani u ngjit në vendin e tretë në renditjen e përgjithshme të ATP-së, pas një sezoni fantastik në të cilin arriti të ngrejë lart trofetë e “Australian Open” dhe të “Wimbledon”-it.

Federer është vetëm 500 pikë larg numrit 1 të botës, krejtësisht të papërfillshme për një lojtar që shumëkush e quan më të mirin e historisë. Federer dhe Nadal janë dy protagonistët absolutë të tenisit këtë vit, pasi ata të dy kanë diskutuar mes tyre 3 nga 4 “Grand Slam”-e, me të katërtin që merr jetë në fushat e Nju Jorkut më 28 gusht.

Top Channel