Mbappe, sherr për t’u larguar nga Monaco

21/08/2017 00:00

Një sherr në stërvitje dhe më pas përjashtim nga transferta e fundit. Kylian Mbappe nuk e mban dot më tensionin e akumuluar në gjithë këto javë që është bërë objekt i skuadrave më të fuqishme të globit, e ndoshta i ndikuar keq nga menaxherët, futbollisti po zgjedh mënyrën më të keqe për t’u larguar nga Monaco.

Destinacioni i sulmuesit me ngjyrë duket se është Parisi, por rruga e diktuar prej tij për t’u arratisur nga ekipi i Principatës ndoshta do t’ia vështirësojë ëndrrën për të qenë përkrah Neymar në repartin ofensiv në “Parc des Princes”. Klubi i sheikut Al Khelaifi ofroi 180 milionë euro për Kylian Mbappe, në një garë të çmendur merkatoje me Realin e Madridit.

Por në Principatë e dinë mirë se kalimi drejt kryeqytetit forcon një rival të drejtpërdrejtë dhe kërkojnë të negociojnë diçka tjetër. Mbappe u bë protagonist i një sherri në stërvitje me mbrojtësin Raggi, madje për pak sa nuk u përplas fizikisht edhe me trajnerin Jardim.

Gjithsesi, Falcao tregoi se kampionët e Francës mund të luajnë edhe pa talentin në sulm. Paris St. Germain i ofron 18 milionë euro në sezon, por veç Monacos, tratativa frenohet edhe nga frika e parizienëve për të përfunduar zyrtarisht nën hetim për dhunimin e “Fair Play”-t financiar.

Top Channel