Inter, mes dëshirave në merkato futet edhe Suso

21/08/2017 00:00

Merkatoja në futboll mbyllet ditën e fundit të gushtit, e duket se në listën e dëshirave të Interit ka hyrë edhe një emër, i cili aktivizohet në radhët e rivalëve të qytetit. Bëhet fjalë për spanjollin Suso të Milanit.

Ekipet i kanë bërë lëvizjet më të rëndësishme për të përforcuar radhët e tyre për sezonin e ri, por asgjë nuk përjashtohet në këto 10 ditë të fundit.

Gjithsesi, për Suson nuk mund të thuhet se tratativa është në atë fazë avancimi, saqë Interi t’i ketë bërë edh enjë ofertë zyrtare kuqezinjve. Por interesimi nuk mungon, pavarësisht se lojtari nuk është përfshirë formalisht në merkato, pasi lojtari ka karakteristikat e nevojshme teknike, ashtu siç i kërkon Spalletti.

Për të shkuar deri në një ofertë të mundshme, Interit i duhet të rikuperojë diku 25 milionë eurot e nevojshme. E për ta bërë këtë, duhet të shesë Stevan Jovetiç, për të cilin interesohen Sevija dhe Monako, Marcelo Brozoviç, madje edhe Antonio Candrevën, për të cilin interesohet Chelsea i Antonio Contes, pavarësisht fjalëve të drejtorit sportiv Piero Ausilio që e konsideron lojtarin “të pashitshëm”.

Veç spanjollit Suso, Inter po studion edhe mundësitë për t’i rrëmbyer Lacios futbollistin Keita Balde, për të cilin në vijën e parë është Juventusi, si dhe Schick nga Sampdoria, apo Karamoh nga Caen.

Në listën e largimeve nga ekipi zikaltër është edhe Gabigol, që mund të transferohet në formë huazimi te Sportingu i Lisbonës. Po në formë huazimi diskutohet edhe ardhja e Mangala nga Manchester City, edhe pse me klubin nuk është diskutuar ende. Synimi, gjithsesi është huazimi pa opsione për blerjen e tij.

Top Channel