“Vox Baroque” në bregdet

21/08/2017 00:00

Në një edicion special veror, tingujt e muzikës “Baroque” do të dëgjohen në Kalanë e Himarës. Nga data 22 deri më 24 gusht, Festivali “Vox Baroque”, për herë të parë do të udhëtojë drejt Rivierës.

“Ne në Festivalin ‘Vox Baroque’ jemi munduar të kapim disa pika të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, vende atraktive, por nuk kishim prekur ende bregdetin”, tha Jusuf Beshiri, drejtor artistik i “Vox Baroque”.

“Një nga këngët që kemi përzgjedhur është edhe ‘Amata terra mia’. Është një vend bregdetar ku do të japim koncertin, kemi detin përballë. Kemi menduar që një këngë e tillë është shumë prekëse dhe është për të gjithë ata që vijnë për pushime nga jashtë në tokën e tyre dhe pastaj kthehen përsëri”, tha më tej drejtori artistik.

Edicionit special i bashkohet për herë të parë këngëtarja Vikena Kamenica.

“Vikenën e kam zgjedhur pasi kam menduar që është një vajzë tepër e talentuar dhe përshtatet shumë mirë në shumë zhanera të muzikës. Kemi studiuar të gjithë programin. Nuk do të mungojë ‘Ave Maria’ e Caccinit, që është vepër ‘Baroque’ e mirëfilltë e një kompozitori shumë të dëgjuar italian. Kemi gjetur një program që të mos jetë tepër specifik dhe i përqëndruar te muzika baroke, por për njerëzit që nuk e njohin mirë, të dëgjohet një orë me kënaqësi, kemi futur edhe muzikë napoletane”, u shpreh Jusuf Beshiri.

Nëse ky edicion veror do të rezultojë i suksesshëm, organizatorët do ta shëtisin festivalin në vitet në vijim në Butrint, Porto Palermo e Theth.

Top Channel