Rama: Rexhepi, shqiptar i ndershëm e patriot; Ngushëllime edhe nga Meta

21/08/2017 00:00

Kryeministri i vendit, Edi Rama, si dhe presidenti Ilir Meta kanë shprehur ngushëllimet e tyre për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi, të cilin e kanë vlerësuar për kontributet e tij.

“Bajram Rexhepi ishte një shqiptar i ndershëm dhe patriot. Një burrë i thjeshtë që i bëri nder Kosovës në çdo detyrë dhe i bën sot të ndihen të ligështuar për humbjen e tij, jo vetëm miqtë, por edhe të gjithë ata që politikisht ishin në llogore të tjera nga e tija. Ai ia doli aty ku shumëkush nuk ia del dot. La pas një kujtim të mirë te të mëdhenjtë e te të vegjëlit. Lamtumirë mik i mirë!”, shkruan në rrjetet sociale kryeministri Rama.

Ndërkohë, presidenti Meta i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes, të dashurve e miqve të ish-kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi, për këtë humbje të madhe.

Kreu i shtetit shqiptar theksoi veçanërisht kontributin i tij si kryeministër i Kosovës, si politikan i spikatur në vitet e para të Kosovës së çliruar, si luftëtar i paepur për çështjen e Pavarësisë së Kosovës.

“Dhe përpjekjet e tij për ndërtimin e instucioneve të saj do të mbeten të paharruara në mendjen dhe zemrat e të gjithë shqiptarëve. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!”, shprehet në përfundim të komunikatës së shpërndarë nga Presidenca, Ilir Meta.

Top Channel