Amerikanët në pritje të eklipsit spektakolar

21/08/2017 00:00

Njerëzit në SHBA po përgatiten për një eklips spektakolar, të paprecedentë në historinë 241-vjeçare të vendit të tyre.

Një eklips i plotë diellor do të ndiqet të hënën, nga Oregoni në Bregun Perëndimor e deri në Karolinën e Jugut, në Bregun Lindor. Kjo është hera e parë që një eklips i tillë do të ndiqet ekskluzivisht në SHBA që nga pavarësia e vendit në vitin 1776.

Në eklipsin e plotë diellor, Hëna vendoset mes Tokës dhe Diellit. Diametri i Hënës do të duket i njëjtë me atë të yllit tonë, çka do të bëjë që të bllokohet drita e diellit. Një hije gjigande do të mbulojë sipërfaqen e Tokës, duke e zhytur atë në errësirë për disa minuta. Në ato zona që nuk do të mbulohen direkt nga hija e hënës do të mund të shihet një eklips i pjesshëm, e kjo do të ndodhë në Amerikën Veriore dhe pjesët veriore të Amerikës së Jugut.

Ka edhe pjesë të Evropës Perëndimore, mes të cilave Britania e Madhe dhe Irlanda që do të mund të shohin një pjesë të diskut të hënës që do të “kafshojë” diellin sadopak.

Njerëzve që do të ndjekin spektaklin u është kërkuar të tregohen të kujdesshëm. Shikimi i drejtpërdrejtë i diellit me sy të lirë mund të jetë i rrezikshëm. Eklipsi i sotshëm është i pari që nga viti 1918, kur hija përfshiu brigjet në Paqësor dhe Atlantik në SHBA. Shumë komentues besojnë se ky do të jetë eventi më i vëzhguar, më i fotografuar dhe më i mirë dokumentuar në historinë e njerëzimit.

Më shumë se 12 milionë njerëz jetojnë përgjatë zonës që do të përfshihet nga hija e plotë e eklipsit. Autoritetet shtetërore dhe lokale ndërkohë janë përgatitur për eklipsin si të ishin duke u përballur me ndonjë katastrofë natyrore. Spektakli do të fillojë në Oregon, në orën 9:05 sipas orës lokale ose në orën 17.05 minuta sipas orës sonë. Errësira më e thellë do të arrihet në orën 10:16 minuta dhe njerëzit do të qëndrojnë për një minutë e 59 sekonda në errësirë të plotë.

Top Channel