Daja: Të përsëritim pjesën e parë të Zagrebit

20/08/2017 00:00

Ilir Daja vazhdon të ndiejë keqardhje për mënyrën sesi korçarëve u iku fitorja nga duart, në minutën e fundit shtesë, në Kroaci.

“Normalisht ndiej akoma keqardhje për faktin që nuk fituam dot në Zagreb, pasi me fitoren do të ishim më të qetë. Keqardhja shtohet jo vetëm për mënyrën sesi dhe kur e pësuam golin e barazimit, por edhe për golin e mohuar padrejtësisht dhe rastet e krijuara për dyfishim”, tha Daja.

Trajneri i korçarëve vlerësoi lojën e ekipit të tij në Kroaci, veçanërisht pjesën e parë.

“Në Elbasan duhet të luajmë ashtu si në pjesën e parë në Zagreb, për të arritur të kualifikohemi. Nga takimi i parë, më shumë do të ndryshojmë manovrat në fushë, sesa emrat, gjithsesi mund të them se kemi një ekip të kompletuar dhe të gjithë lojtarët janë të gatshëm dhe të aftë të luajnë në ato 90 minuta”, tha trajneri i Skënderbeut.

Top Channel