Roma starton me fitore, mposht Atalantën e Berishës

20/08/2017 00:00

Pas Juventusit dhe Napolit, ka qenë radha e Romës, që të nisë me fitore këtë sezon të Serisë A.

Verdhekuqtë, të cilët e nisën këtë sezon me shumë ndryshime në staf drejtues, trajnerë dhe futbollistë, arritën të fitojnë 0-1 në transfertën ndaj Atalantës.

Ishte pikërisht një gol i serbit Kolarov, nga goditja e dënimit, ajo që vendosi rezultatin. Mbrojtësi i ardhur këtë verë të kryeqytetasit, goditi topin poshtë murit të futbollistëve vendas dhe e dërgoi në rrjetën e portës së mbrojtur nga Berisha.

Nga ana tjetër, edhe bergamaskët u përpoqën dhe patën mundësi të mira barazimi, por nuk ia dolën të ndryshojnë shifrat e rezultatit final.

Ndërkohë, në 20:45, do të luhen të shtatë ndeshjet e mbetura të kësaj jave të parë të Serisë A, ku pritet me interes paraqitja e ekipeve të Milanos.

Top Channel