Shehi: Ky ekip ka forcë e karakter

20/08/2017 00:00

Edhe kapiteni i korçarëve, Orges Shehi u ndal para mikrofonave të Supersport, pas stërvitjes së sotme.

Portieri, i cili vazhdon të jetë një garanci për Skënderbeun, është duke luajtur ndeshjet e fundit të karrierës, por theksoi se vazhdon të stërvitet me intensitet të lartë.

“Jemi përpara një takimi shumë të rëndësishëm dhe po përgatitemi për ta përballuar me sukses. Unë personalisht vazhdoj të stërvitem si të isha në fillim të karrierës, pavarsisht se shumë shpejt do të tërhiqem nga futbolli i luajtur”, u shpreh Shehi.

Gardiani i korçarëve ka qenë shpeshherë heroi i ekipit të tij, ashtu si edhe në kualifikimin ndaj Mlada-s, por këtë herë thekson se kualifikimi është shumë më i rëndësishëm sesa paraqitja personale.

“Unë jam gati për të bërë detyrën time, të jap maksimumin për të ruajtur portën të paprekur, por kualifikimi është më i rëndësishëm sesa meritat personale. Ky ekip ka forcë dhe karakter për të luajtur në nivele të tilla dhe këtë e dëshmon edhe kjo arritje, e cila erdhi pas një viti të mbushur me sulme dhe dënime”, tha kapiteni i Skënderbeut.

Top Channel