Viktima e parë e “VAR”-it është Juventus. Rasti i Hysajt…

20/08/2017 00:00

Jo pak tifozë të futbollit italian e panë me dyshim ndalimin e përkohshëm të lojës, në premierën e këtij sezoni në Serie A. Arbitrit kryesor iu desh të konsultohej me teknologjinë, për të vendosur rastin e një penalltie të diskutueshme, e kjo shënoi futjen e futbollit të Apenineve në një epokë të re.

Për herë të parë u përdor sistemi “Video Assistant Referee”, arbitri virtual që i dha të drejtë Cagliarit në rastin e 11-metërshit, që gjithsesi u shpërdorua nga Farias. Festoi thuajse e gjithë Italia, me përjashtim të juventinëve. Nuk pati protesta dhe arbitrat u dukën më të qetë, duke i dhënë sistemit teknologjik një notë kaluese.

Moviola në fushë duket se po jep sinjale pozitive, edhe pse ka nga ata kritikë që mendojnë se futbolli tradicional po i humb vlerat, me gabimet pa dashje që shtonin polemikat dhe diskutimet.

Si në skenarin e një filmi, viktima e parë ishte Juventusi, që sipas kritikëve të kampionëve, është skuadra që gëzon një lloj favorizimi nga arbitrat. Koha e reagimit ndoshta mund të ishte më e shpejtë, por klima miqësore dhe qetësia që pasoi rastin u bëri mirë gjyqtarëve.

Edhe në stadiumin “Bentegodi”, teknologjia i erdhi në ndihmë arbitrit Fabri në rastin e golit të Napolit. Nuk u gjykua e nevojshme ndërhyrja e sistemit të videoarbitrimit në episodin tjetër të madh të ndeshjes, me penalltinë dhe përjashtimin e mbrojtësit Elseid Hysaj. 11-metërshi u duk korrekt, por kartoni i kuq ndaj shqiptarit ishte i ekzagjeruar.

Top Channel