Të tmerruar nga imazhi i kryqit të thyer nazist nëpër mure, parqe lodrash apo ndërtesa, një grup artistësh të grafiteve në Berlin po shndërron simbolet naziste në vepra shumëngjyrëshe arti, si lule, makina apo kafshë.

Zvastika, kryqi i thyer, i adoptuar nga partia naziste e Adolf Hitlerit është i ndaluar në Gjermani, ku ekstremi i djathtë duket se është fuqizuar për shkak të fluksit prej më shumë se një milionë refugjatëve në dy vitet e fundit.

Ibo Omari, që menaxhon një dyqan grafitesh, inkurajon të rinjtë të identifikojnë simbolet naziste në lagjet e tyre dhe më pas t’i shndërrojnë ato në piktura plot jetë.

“Është e rëndësishme të nxisim të rinjtë të veprojnë dhe t’i inkurajojmë ata që të marrin përsipër përgjegjësi, jo thjeshtë të kalojnë përkrah këtyre simboleve të urryera dhe t’i injorojnë ato”, thotë ai.
 
Sipas tij, mënyra më e mirë për të reaguar është me humor dhe dashuri, ndaj ata kanë dalë me dizajne si lepuj, zogj apo një kub rubiku për të mbuluar zvastikat.

Artistët e rrugës kanë transformuar deri më tani rreth 25 svastika dhe iniciativa e tyre është përqafuar nga njerëz në qytete të tjera, përfshirë Hamburgun, Këlnin dhe Bremenin.

Ideja për këtë projekt Omarit i kish ardhur në 2015, kur një burrë kish hyrë në dyqanin e tij për të blerë bojë, me të cilën donte të mbulonte një zvastikë në një park ku çonte djemtë e tij që të luanin.

Top Channel