Gjykata refuzon pushimin e padisë ndaj Roman Polanskit

19/08/2017 00:00

Një gjykatë në Los Anxheles refuzoi kërkesën e një gruaje 54-vjeçare për t’u tërhequr nga padia për përdhunim ndaj regjisorit, Roman Polanski.

Samantha Geimer, e cila tani është 54 vjeç, tha para Gjykatës së Lartë të Los Anxhelesit “se e kishte falur regjisorin dhe se e kishte hedhur pas krahëve përdhunimin”.

Por gjykata e refuzoi kërkesën. Në argumentimin e saj thuhet se vetë dëshmia e 54-vjeçares ishte një provë e fortë e dëmit që i kishte shkaktuar Roman Polanski, që duhet të përballet me drejtësinë për këtë.

Sipas viktimës, përdhunimi ka ndodhur në vitin 1977, kur ajo ishte 13 vjeç. Në rrëfim, ajo thotë se regjisori e kishte droguar dhe më pas përdhunuar atë. Menjëherë pas kësaj, Polanski ka fluturuar për në Francë.

Vendimi i gjykatës mbërrin pak ditë pasi një tjetër grua akuzoi regjisorin e famshëm se e kishte ngacmuar seksualisht në vitin 1973, kur ajo ishte 16 vjeç. Për shkak të tejkalimit të afateve, ajo vetë nuk mund të ngrejë më një padi kundrejt Polanskit, por tha se ishte e gatshme që të dëshmonte në procesin gjyqësor 40-vjeçar të ngritur nga Samantha Geimer.

Avokati i regjisorit franko-polak tha se klienti i tij ishte i zhgënjyer me vendimin e marrë nga gjykata dhe se nuk do të kthehej më në Shtetet e Bashkuara. 

Top Channel